Lajme
Atentati mund t’i jetë kryer “Rrumit”! Detajet e reja mbi tentativën për të vrarë prokurorin shqiptar

I FORTI” I SHIJAKUT
Aleksandër Laho, alias Pëllumb Muharremi apo Landi Muharremi, nuk është i panjohur për Policinë e Durrësit, por edhe atë të Tiranës. Emri i tij, rezulton të jetë i skeduar disa herë për ngjarje të rënda kriminale, ndonëse zyrtarisht në Shqipëri rezulton person pa precedentë penalë. I njohur në Durrës me pseudonimin “Rrumi”, Muharremi rezulton të jetë vëllai i drejtorit të Postës në Durrës, Albert Muharremi.
I plagosuri në atentatin e së premtes ka qenë objekt ankesash nga qytetarët për zaptim të pronave, madje edhe është denoncuar në disa procese gjyqësore që kanë lidhje me pronat, kryesisht ato në zonën e Ishmit. Ai është gjithashtu i dyshuar si një ndër dhunuesit e biznesmenit amerikano-libanez Fadi Mitri, edhe pse nuk ka pasur asnjëherë akuzë zyrtare ndaj tij për këtë çështje.
Policia e Durrësit e ka hetuar për një kohë të gjatë, edhe për dy ngjarja të ndodhura në këtë qytet pak kohë më parë. Bëhet fjalë për vjedhjen e Postës së Prokurorisë në Durrës e pak ditë më vonë edhe Prokurorinë, ku u grabit dosja e skandalit të pronave në Gjirin e Lalëzit, ku përfituesi kryesor ishte pikërisht Alekasandër Laho, i njohur me pseudonim “Rrumi”.
HETIMI
Hetimet për atentatin janë përqendruar te vrasja e mbetur në tentativë, për shkak të detyrës së prokurorit Arian Ndoja, por Policia dhe Prokuroria nuk e përjashtojnë mundësinë që objektiv i atentatit mund të ketë qenë edhe Landi Muharremi. Ky i fundit ka lidhje të afërta me Muharrem Muharremin, i përfshirë në konfliktin për pronat te Gjiri i Lalzit, që humbi biznesmeni libanez Fadi Mitri.
Më 14 shtator të vitit 2016, Policia e Tiranës shoqëroi 3 persona të dyshuar si autorë të rrahjes së biznesmenit amerikan-libanez, Fadi Mitri, në rrugën e Rinasit. Të dyshuarit ishin të tre nga Shijaku dhe sipas burimeve nga grupi hetimor në atë kohë u dyshuan se mund të jenë paguar ose porositur nga persona të tjerë për dhunuar e kërcënuar investitorin e huaj.
Me një automjet tip “Tuareg”, me targa italiane, ata përplasën makinën “Mitsubishi”, ku ndodhej biznesmeni me familjen. Tri vite më parë, burimet thanë se vetë i plagosurit e ka tërhequr denoncimin që iu mor disa orë pas ngjarjes në spitalin privat ku mori mjekim. Megjithatë, Policia i kreu veprimet me iniciativë, duke qenë se ishin përballë dy veprave penale, siç ishte “plagosja e rëndë me dashje” dhe “kanosja”.
Burime nga Policia thanë në atë kohë se tre personat e shoqëruar në lidhje me ngjarjen e datës 10 shtator 2016 ishin Skënder Krahja, Landi Muharremi dhe Arben Mërkuri, të tre nga Shijaku. Njëri prej tyre, Krahja, u arrestua pasi iu gjet një sasi hashashi në xhep. Ndërsa në lidhje me plagosjen e rëndë të biznesmenit Fadi Mitri, nuk u gjetën prova të mjaftueshme që t’i lidhnin me ngjarjen. Por, përveç kësaj ngjarjeje, Landi Muharremi u hetua edhe për rrahjen e një avokati vitin e kaluar, ngjarje për të cilën po ashtu nuk u arrestua asnjëherë./Panorama



















