Lajme
28 Nëntori në Shqipëri – mes Tragjedisë dhe Ditës së Flamurit (VIDEO)

Ky është 28 nëntori më i trishtë për shqiptarët viteve të fundit.
Pa dyshim se arsye për këtë është tërmeti vdekjeprurës që ndodhi mëngjesin e të martës dhe që deri tani ka marrë afër 50 jetë njerëzish, shumë të tjerë dyshohet se mund të jetë akoma poshtë gërmadhave të objekteve që janë shembur plotësisht, derisa edhe qindra të tjerë janë lënduar.
Ekipet e Klan Kosovës po qëndrojnë atje tash e tri ditë për të përcjellë nga afër të gjitha zhvillimet në këtë situatë dramatike në të cilën ndodhet Shqipëria.
Klan Kosova ka sjellë pamje shumë emocionuese kur ekipet e kërkim-shpëtimit kanë arritur të nxjerrin persona që mrekullisht kanë shpëtuar gjallë poshtë gërmadhave, por edhe momente të rënda kur nga aty dolën trupa që nuk frymonin më.
Në Shqipëri aktualisht po qëndrojnë ekipe që po vazhdojnë të kryejnë operacione të kërkim-shpëtimit që vijnë nga vende të ndryshme: Kosova, Turqia, Rumania, Greqia, Italia dhe madje edhe nga Serbia.
Gazetari i Klan Kosovës, Kushtrim Sadiku, ka realizuar një përmbledhje të disa ngjarjeve të ditës së sotme që ndahen në dysh: TRAGJEDIA dhe DITA E FLAMURIT.
Në videon e mëposhtme mund të shihni edhe momentin kur është gjetur trupi i pajetë i një burri 50 vjeçar në një operacion të kërkim-shpëtimit dramatik në gërmadhat e një hoteli të shembur krejtësisht, në zonën e plazhit në Durrës.
Personi që u nxorr pa shenja jete nga gërmadhat e hotelit kishte mbetur poshtë një pllake të madhe betoni duke bërë kështu që operacioni për kërkimin e tij të zgjasë disa orë.
Të pranishëm kishin qenë edhe familjarët e viktimës, të cilët pa dyshim se e përjetuan shumë rëndë këtë moment.





















