Sport
“S’ka më vend për Xhakën në Arsenal”

Ish-sulmuesi i Tottenhamit dhe tifozi i Arsenalit, Darren Bent, pretendon se sjellja e Granit Xhakës ndaj tifozëve të Arsenalit është shenjë mosrespekti për klubin dhe se nuk ka më asnjë rrugë kthimi për të në klub.
Mesfushori shqiptar i Zvicrës, i cili është zgjedhur kapiten i Arsenalit me gjithë kritikat e shumta së fundmi, u nxor nga loja e së dielës në minutën e 61-të nga trajneri Unai Emery, për t’i lënë vend Bukayo Sakas, pak pas golit të barazimit të vizitorëve, shkruan Gazeta Express.
Xhaka u përcoll jashtë fushës me fishkëllima të shumta të tifozëve të vet. Kjo bëri që ai ta humbë pusullën dhe ta heqë shiritin e kapitenit dhunshëm, para se ta lëshonin nervat plotësisht.
Ai reagoi ndaj tifozëve duke i sharë: “Ik pi***uni” dhe duke e hedhur fanellën në tokë rrugës drejt tunelit për në zhveshtore.
Sjellja e tij, si kapiten i sapoemëruar, ka ngjallur reagime të mëdha në Angli. Shumë ish-yje të Arsenalit dhe tifozë të klubit londinez kanë mbetur të habitur me Xhakën, të cilin e kritikuan ashpër për reagimin tërbues.
“Kur u thua njëherë tifozë të p*rdhen, e zhvesh fanellën dhe largohesh nga fusha, e pat më puna jote në klub”, ka thënë Bent, në një intervistë të dhënë për TalkSport.
“Nuk më pëlqen kur tifozët u fishkëllejnë tifozëve të vet, por ti po u dorëzohesh kur reagon në atë mënyrë. E kuptoj se ishte i zemëruar sepse nuk ishte i kënaqur as vetë me paraqitjen e tij. Ai s’ka qenë duke luajtur mirë”.
“Por, reagimi i tij ndaj turmës dhe trajnerit… për mua nuk ka mënyrë se si ai mund të kthehet nga ajo tash. Edhe vetëm dalja përmes tunelit është e keqe, mirëpo ai u tregua i pasjellshëm ndaj bashkëlojtarëve të vet dhe klubit”.
“Situata është edhe më e keqe për shkak se ai është kapiteni. Si kapiten, detyra jote është të vësh shembull. Ti je në vijën e frontit për gjithçka. Nëse skuadra nuk luan mirë, ti do të kritikohesh i pari dhe bashkëlojtarët do të të shikojnë ty”.
“Çfarë do të ndodhë tani? Herën tjetër që ai do të zëvendësohet, ai do të fishkëllehet edhe më shumë nga tifozët. Ata s’do ta falin atë kurrë për atë që ndodhi”.
Xhaka pritet të rikthehet në stërvitje me ekipin të martën para ndeshjes së Arsenalit kundër Liverpoolit në rrethin e katërt të Carabao Cup të mërkurën, transmeton Gazeta Express.
Ndërkohë, Federata e Futbollit e Anglisë (FA) nuk do të marrë asnjë veprim ndaj Xhakës, pasi ai u pa duke i sharë dhe duke bërë me gjeste ndaj tifozëve të Arsenalit, të cilët e fishkëllyen.
Xhaka, i cili ka shkaktuar më shumë faulle (22) se çdo futbollist tjetër në Premierligë këtë sezon, është zëvendësuar tri herë në nëntë ndeshje deri tani në ligë.
Për momentin nuk dihet nëse Arsenali është duke menduar t’ia heqë shiritin e kapitenit mesfushorit shqiptar të Zvicrës.
I pyetur pas ndeshjes nëse Xhaka do të mbetet kapiten i Arsenalit, trajneri Unai Emery tha: “Nuk është tani koha të flitet për këtë”. /Gazeta Express/




















