Kosovë
Rinumërohen 82.49 për qind të votave, ja sa deputetë i siguron koalicioni Nisma-AKR

Koalicioni Nisma Socialdemokrate-Aleanca Kosova e Re do t’i sigurojë 6 ulëse në Kuvendin e Kosovës nëse kalon pragun me 5.02 për qind të votave të fituara, sipas rezultatit të rinumërimit të 82.49 për qind të votave nga 314 vendvotime që janë duke u rinumëruar.
Sipas Formularit të Raportimit të Rezultateve të partive politike (FRP), pas rinumërimit të 82 për qind të votave nga rinumërimi i 314 vendvotimeve, Nisma ka kaluar pragun zgjedhor të zgjedhjeve parlamentare 2019.
E, me kalimin e pragut zgjedhor sipas këtij rezultati – me 5.02 për qind të votave të fituara -, koalicioni Nisma-AKR do t’i sigurojë 6 ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Nga 314 vendvotimet që janë duke u rinumëruar, kanë mbetur të publikohet rezultati i plotë që përfshin edhe 18 për qind të vendvotimeve.
Lidhur me këtë rezultat, zëdhënësi për media i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka thënë se KQZ është duke publikuar në uebsajtin e saj rezultatet e rinumërimit të 314 vendvotimeve.
“Me qëllim të transparencës, pas çdo rinumërimi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po publikon formularët e rezultateve të subjekteve politike dhe të kandidatëve. Formularët e rinumërimit po publikohen afër formularëve që janë plotësuar në vendvotime dhe çdo palë e interesuar mund të ketë çasje për të bërë krahasime”, ka thënë Elezi për Insajderin.
Ndërkaq, KQZ ka njoftuar se nesër do të fillojë numërimi i votave me postë dhe gjatë ditëve të ardhshme po ashtu do të nisë edhe numërimi i votave me kusht.





















