Connect with us

Lajme

Rama: Rekomandimet e OSBE-së gati për votim edhe pa PD-në dhe LSI-në

Published

on

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se shumica parlamentare që drejton është gati që të votojë ndryshimet në reformën zgjedhore sipas rekomandimeve te OSBE-së, ashtu sikur e kërkon Gjermania për të çelur negociatat, ndërsa në një fazë të dytë që kërkon më shumë kohë është i hapur për të diskutuar edhe për sistemin elektoral, votën e emigrantëve dhe cështje të tjera që janë shtruar nga partitë politike.

“Të gjitha partitë kanë dëshirat, vizionet, ëndrrat, nevojat, interesat e tyre dhe kjo bën që sa herë hapet kjo temë të ketë këndvështrime të larmishme, kemi edhe ne tonat. Ne kemi një pikë të rëndësishme, vota e emigrantëve. Por të gjitha këto, përfshirë edhe këtë mund të marrin kohë akoma, nuk kemi një ngut, kemi ngut për rekomandimet e OSBE-së dhe për t’iu përgjigjur një kushti, uljes në tryezë me KiE-në dhe formalizimin e procesit të çeljes së negociatave dhe për këtë do të nxitojmë. Shpresoj që edhe të tjerët të jenë dakord, por edhe po të mos jenë ne do të nxitojmë.  Kjo do të thotë se do ta miratojmë në parlament, patjetër. Nuk kemi kohë për të humbur, por për të fituar kohë”.

“Rekomandimet e OSBE-së nuk janë gjëgjëza janë të shkruara, të gjitha do të integrohen në ligjin ekzistues dhe ne do të jemi gati në raport me KiE-në dhe Komisionin për të thënë se ky kusht është plotësuar, paralelisht me plotësimin e kushtit tjetër të institucioneve të reja të drejtësisë. Nuk janë nëntë pika, por dy, është plotësimi i institucioneve, SPAK-u dhe reforma zgjedhore në bazë të rekomandimeve të OSBE-së. Me këto të dyja nëse në këshill nuk do të ketë të tjera që mund të shtojnë vendet e tjera, apo një goditje sprapthi, ne i kemi plotësuar dy kushtet për konferencën ndërqeveritare që është zyrtarizimi i çeljes së negociatave” u shpreh Rama për Report TV.

Ai shprehet i gatshëm për të dialogur me opozitën jashtë parlamentit për reformën zgjedhore në cdo moment dhe cdo vend, madje edhe në selinë e PD-së, por nëse ajo nuk pranon dhe e zvarrit kjo nuk do ta pengojë për të vijuar përpara dhe për ta miratuar sipas rekomandimeve të OSBE-së, pasi është kusht për negociatat.

“Kush dëshiron që të më ketë edhe mua në tavolinë jam gati, kudo, edhe në selinë e PD-së nëse zhvillohet takimi unë shkoj, nuk e kam problem. Nuk është cështje vendi, formati, apo imponimi të axhendës, nëse ata janë rehat me orën që vazhdon të bjerë 12, është puna e tyre, ora ime vrapon”.

Por sa kohë do ta presë Rama opozitën?

“Nuk e pres fare, ne vazhdojmë, ndërkohë që jemi gati në cdo moment të ndalojmë dhe të ulemi nëse ata duan që ne ta ndalojmë dhe të ulemi. Opozita në parlament ka një qasje të sajën të respektueshme dhe ne do e debatojmë, por duhet të mos humbasim asnjë sekond për të plotësuar dy kushtet dhe fatmirësisht për reformën zgjedhore është shumë e qartë, sipas rekomandimeve të OSBE-së. Cfarë do të donim të shtonim nuk na pengon asnjë, mjafton të biem dakord. Për këtë nuk ka nevojë të ulemi të gjithë, rekomandimet e OSBE-së. Jemi gati të diskutojmë, nëse do të na bindin patjetër do ta rishikojmë sistemin” tha ai.

Rama ka shpjeguar edhe arsyen se përse është kundër propozimit të PD-së për drejtimin e reformës zgjedhore nga ndërkombëtarët, që u kundërshtua edhe nga Brukseli dhe OSBE-ja. “Nuk i trembem asnjë ndërmjetësimi, unë mendoj se nuk kemi nevojë për përkthyes, shqip merremi vesh më mirë me njëri tjetrin. Ky vend nuk mund të funksionojë më as me teka dhe as me përkthyes, por sikur funksionojnë të gjitha vendet normale. Jam gati në cdo moment që të ulem në tryezë, do të doja që të flisnim për reformën zgjedhore, pasi koha vrapon, nëse ata nuk e ndiejnë presionin e kohës dhe janë në një kalendar tjetër është e drejta e tyre, nuk kam arsye t’u bëj presion, ‘hajdeni, hajdeni, hajdeni’. Jam këtu në cdo moment që ata dëshirojnë”.

Kjo do të thotë se Partia Socialiste planifikon miratimin e reformës zgjedhore me rekomandimet e OSBE-së për të plotësuar kështu një nga dy kushtet e Berlinit, pasi tjetri lidhet me krijimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë dhe në një moment të dytë të diskutohet për cështjet e tjera.  Gjatë intervistës kryeministri komentoi edhe raportin e Komisionit të Venecias se theksoi se Presidenti shkeli Kushtetutën me anulimin e zgjedhjeve, por edhe cështje të tjera.

NA NDIQ NË FACEBOOK