Lajme
Rama ironizon: Është përgjegjësi e imja, s’kam arritur t’i bind Francën dhe Gjermaninë që të jenë në harmoni

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka qenë ironik kur është përgjigjur nëse ndjen përgjegjësi politike për mos hapjen e negociatave nga Bashkimi Evropian.
“Është e vërtetë – përgjegjësia është e imja që Franca dhe Gjermania e kanë këtë qasje”, ka thënë Rama, njofton Klan Kosova.
“Nuk kam arritur t’i bëjë bashkë dhe t’i bind që të jenë në harmoni njëri me tjetrin. Është përgjegjësi e imja pse zhvillohet zgjedhje evropiane në kohën kur duhet të merret vendim dhe pastaj shtyhet vendimi. Patjetër”.
“Nuk diskutohet që një qeveri me të gjithë ata që dalin bashkë që thonë se janë ‘opozitë e bashkuar’ do të kishin marrë lejen e negociatave. Sikur Ndoka të ishte në vend të Cakaj sigurt do të kishte konsensus”.
Rama ka thënë në përgjigjen ndaj një gazetareje se kur ka nisur të punojë për anëtarësimin e Shqipërisë i ka pasur të gjitha flokët në kokë.
“Nëse do t’ia lë mjekrës që ta dëshmojë do të bëhet më e gjatë se flokët tua. Është rrugëtim dhe Shqipëria është sot më shumë evropiane. Shumë gjëra kanë ndryshuar, shumë gjëra duhet të ndryshojnë. Trashëgimia jonë është shumë e rëndë. S;jemi Polonia, Hungaria, as Çekia, as, as, as… Kemi pasë dy ndërprerje të mëdha njëra mbi 500 vjet tjetra mbi 50 e kusur vjet. Kjo është e treta e vërteta. Do t’ia bëjmë hyzmetin”.



















