Lajme
Prokuroria e Kosovës nuk e di se ku gjendet për momentin Afrim Ismailoviqi

Kërkesës për ekstradim të dy të akuzuarve në rastin “Monstra”, Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq, i është përgjigjur Ministria e Drejtësisë së Kosovës. Nga atje kanë njoftuar se Prokuroria Publike e Kosovës nuk e di se ku gjendet Afrim Ismailoviqi, që të mund të ekstradohet i njëjti. Për Alil Demirin nuk është kumtuar asgjë, transmeton Portalb.mk.
“Për shkak të interesit të publikut për ekstradim të Afrim Ismailoviqit – i akuzuar në rastin “Monstra”, informojmë se Ministria jonë ka marrë njoftim nga Ministria e Drejtësisë e Kosovës se kanë marrë përgjigje nga Prokurori publik kompetent se për momentin nuk dihet se ku gjendet i akuzuari Afrim Ismailoviqi”, thanë nga Ministria e Drejtësisë e RMV-së.
Nga atje kanë njoftuar, se sërish do të dërgojë urgjencë dhe do të kërkojë që institucionet e Kosovës të bëjnë përpjekje për gjetjen e personit për realizim të ekstradimit.
Ekstradimi i Ismailoviqit dhe Demirit u kërkua në seancën gjyqësore të “Monstrës” që u mbajt më 4 tetor të 2019-s.
Siç kumtuan paraprakisht nga Kabineti i ministres së Drejtësisë, Renata Deskoska, sa ka qenë ajo në pushtet, te ministri i deritashëm i Drejtësisë të Kosovës, Abelard Tahiri janë dërguar tre shkresa. Një kërkesë për ekstradim, dhe dy urgjenca për prononcim ndaj kërkesës.
Kërkesa e parë për ekstradim është dërguar në mars të 2013-s, për çfarë Gjykata e Apelit e Kosovës më 22 janar të 2016-s e ka refuzuar të njëjtën,
Kërkesa e dytë është dërguar më 5 shtator të 2018-s. Nga dorëzimi i kërkesës për ekstradim, deri sot Ministria e Drejtësisë në RMV nuk ka marrë asnjë përgjigje nga Ministria e Drejtësisë e Kosovës. Është dërguar urgjencë për prononcim ndaj kërkesës në fjalë.
Urgjenca e parë është dërguar më 26 shkurt të 2019-s dhe
Urgjenca e dytë është dërguar më 3 korrik të 2019-s.
















