OP / ED
Pranvera në Kosovë solli acarin në Tiranë

Politikanët e Kosovës zgjodhën të sillen si burra teksa këto zgjedhje në lojë ishte e ardhmja e asaj toke, për të cilën është derdhur gjak për liri, arsim, e flamur si në asnjë vend tjetër në botë.
Një kryeministër që jep dorëheqjen duke vendosur shtetin mbi pushtetin, kryetari i një partie që prej 12 vitesh është në pushtet, pranon humbjen dhe daljen në opozitë duke uruar kundërshtarin, janë një leksion demokracie për rajonin tonë.
Ramush Haradinaj, Kadri Veseli e Fatmir Limaj nuk përdorën as institucionet shtetërore, as Komisionin Qendror te Zgjedhjeve për të zgjatur qëndrimin në qeveri, ndërkohë refuzuan të bashkëpunonin dhe më të fortët e bastioneve te tyre, përpara të cilëve “ çunat problematikë” që ,Damian Gjiknurin, e ndihmuan te bënte termet në Dibër janë si “pjeshka” blloku.
Ata zgjodhën të paguajnë faturën e keqqeverisjes duke dalë në opozitë, duke mos bërë asnjë përpjekje për të cenuar e deformuar votën e shtetasve të tyre.
Fushata u karakterizua nga debate që lidhen me keqqeverisjen, korrupsionin, eksodin dhe alternativat për një te ardhme më të mire.
Nuk cenoi kush familjen e kundërshtarit, nuk fyeu asnjëri askënd, asnjë lider nuk pa filxhan në transmetim live apo në takime duke respektuar elektoratin përballë, Albini as Vjosa nuk patën nevojën e cubave për të zhvilluar takime elektorale në Pejën e Ramushit, Malishevën e Limajt, Mitrovicën e Veselit apo Drenicën e Sami Lushtakut.
Fituesi i këtyre zgjedhjeve, Albin Kurti, është i vetëdijshëm se ky nuk është fundi, por fillimi i një rrugë të vështirë që nis që me negociatat me LDK, parti politike nën kontrollin e njerëzve të lidhur ngushtë me ish regjimin jugosllav dhe oligarkët e pasuruar nga konflikti Kosove Serbi.
Albin Kurti e di shumë mire se nuk ka fituar vetëm votat e atyre që ishin për të rrëzuar nga pushteti krahun e luftës për shkak të korrupsionit dhe keqqeverisjes me baza finsore, por ka marrë dhe votat e atyre idealisteve, që nesër Kosovën duan ta shohin me Shqipërinë, ka marrë votat e atyre që u vlon gjaku kur shohin se si personazhe publike mbrojnë tezat e Cubrillovicit dhe UDB për kombin kosovar.
Janë me dhjetëra të rinj nga Vlora, Shkodra, Durrësi, Fier, Elbasani, Kukësi Mirdita, Tirana e mbarë Shqipëria e Ilirida, që këto zgjedhje zbarkuan në Kosovë vullnetarisht për të kontribuar për Lëvizjen Vetëvendosje në moton se” Pranvera Shqiptare fillon nga Kosova”.
Por kjo pranverë ka sjellë acar në Tiranë, ku klasa politike ndihet e turpëruar me sjelljen e homologëve të tyre në Tiranë.
Nëse në Kuvendin e Kosovës kemi burra e gra që lirinë e ardhmërinë e vendit e kanë paguar me armë në dorë, që kanë lënë të vdekur në fushë beteja me serbët vëllezër, motra, prindër miq e shoke, në këtu kemi fatin të kemi në tempullin e demokracisë analfabetë funksionale, si Gjuzi me shokë dhe eunukë oborri, që janë aty për të duartrokitur batutat pa kripë të “Bablokut madh”
Në 2019 në Kosovë vota lexohet e respektohet, në Shqipëri, imponohet, vidhet, blihet e tjetërsohet.
Mjafton të lexosh se si analistë pranë oborrit qeveritar në Tiranë sulmojnë procesin zgjedhor në Kosovë për të kuptuar se sa me fat janë shqiptarët e Kosovës për traun që Tirana Zyrtare u vendosi në Kukës.



















