Sport
Plas te Juventusi, tifozët kërkojnë përjashtimin e futbollistit turk

Kombëtarja e Turqisë është më e përfolura momentalisht në botën e futbollit. Shumë prej yjeve turq kanë dalë në mbështetje të hapur pro sulmeve turke ndaj kurdëve, gjë që ka mërzitur shumë tifozë të klubeve ku ata luajnë.
Po sikur të mos mjaftonte vetëm kjo, mënyra si futbollistët e Turqisë festuan golat ndaj Shqipërisë dhe Francës me përshëndetje ushtarake i ka hedhur benzinë zjarrit.
Së fundmi janë tifozët e Juventusit ata që i kanë kërkuar klubit të tyre të përjashtojë mbrojtësin turk, Merih Demiral, për shkak të pikpamjeve politike të lojtarit. Ai ishte një nga lojtarët që bëri përshëndetjen ushtarake gjatë ndeshjeve të fundit eliminatore.
Tifozët e “Zonjës” kanë nisur një fushatë në Twitter me hashtagun #demiralout. Ata kërkojnë që klubi i tyre të ndjekë shembullin e gjermanëve të St. Paul që përjashtuan mesfushorin turk, Cenk Sahin, pasi ky i fundit mbështeti përmes postimeve në rrjetet sociale sulmet e fundit të ushtrisë turke në Sirinë veriore. /CNA.al


















