Lajme
NP “Higjiena Komunale” -Shkup, demanton pretendimet e “Clickplus” nga TV21

Drejtori i NP “Higjiena Komunale” -Shkup, Abdusamed Shabani, hedh poshtë pretendimet e kanalit “Clickplus” nga mediumi TV21, të publikuar në programin e transmetuar më 14.10.2019, ku thuhet se NP “Higjiena Komunale” – Shkup është përgjegjëse për zgjidhjen e problemeve me kanalizim në komunën Çair të Shkupit.
Në periudhën kur po zhvillohen aksionet e vjeshtës për pastrim të përgjithshëm në të gjitha komunat e Shkupit dhe aktivitetet tona të panumërta për të edukuar dhe rritur ndërgjegjësimin e publikut mbi trajtimin e drejtë dhe me ndërgjegje me mbetjet, është jashtëzakonisht e pahijshme dhe joprofesionale për mediumet që të publikojnë fakte të pasakta dhe të pa verifikuara lidhur me kompetencat tona.
NP,,Higjiena Komunale’’-Shkup nuk ka asnjë kompetencë lidhur me kanalizimin, kanalet e kullimit, pusetat (shahtet) etj. Kompetenca jonë primare është mbledhja dhe transporti i mbetjes komunale, si dhe mirëmbajtja dhe pastërtia e hapësirave publike në qytetin e Shkupit.
U bëjmë thirrje mediumeve publike që me korrektësi dhe vërtetësi ta informojnë opinionin për aktivitetet tona, dhe në këtë mënyrë të ndihmojnë në angazhimin tonë për rritjen e nivelit të higjienës dhe pastërtisë, dhe mirëmbajtjen e mjedisit të shëndetshëm jetësor në qytet.
















