Kosovë
Njohësi i filozofisë politike nënkupton se LDK-ja po e mashtron hapur Albin Kurtin

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë janë pajtuar që qeveria e re e Kosovës t’i ketë vetëm 12 ministri, duke provuar të ulin kësisoji shpenzimin e panevojshëm të parasë publike.
Një veprim të tillë, njohësi i filozofisë politike Blerim Latifi, e ka nënkuptuar si një nonsens ideologjik pasi ai beson që një filozofi e tillë i takon të djathtës konservatore.
“Veç në shqiptari bën vaki që gjithë kohën të promovohesh si i majtë dhe njëkohësisht t’u premtosh qytetarëve qeveri të vogël, e cila është ide e të djathtës konservatore!” – shkruan ai në Facebook-un e tij.
Sidoqoftë, një deklarim i tillë lë të nënkuptohet se Vetëvendosje dhe Kurti po mashtrohen nga LDK-ja, e cila është e deklaruar si e djathtë konservatore dhe ka avokuar vazhdimisht për një qeveri sa më të vogël.
Latifi që garoi për deputet në radhët e PDK-së, nuk ka kritikuar partinë në të cilën bënte ose bën pjesë e as partitë në koalicion qeveritar për të njëjtën gjë edhe pse, ato ishin deklaruar të djathta ndërkohë që i kishin rritur në përmasa të jashtëzakonshme qeveritë e kaluara.
Qeveria Haradinaj II kishte 21 ministri, pesë zëvendëskryeministra dhe 82 zëvendësministra duke kaluar çdo qeveri të deritashme për kah madhësia.
Sidoqoftë, opinion publik nuk e ka perceptuar madhësinë e qeverisë me rritjen e punës dhe efektshmërisë së saj. /Periskopi


















