Connect with us

Sport

Muharem Muharemi, i riu që synon hapat e Nuri Seferit

Publikuar

Është 14-të vjeç dhe tashmë katër vite stërvitet intenzivisht në sportin e boksit. Duke zbuluar ngadalë fshehtësitë e këtij sporti, fundjavën e shkuar arriti të shpallet kampion shtetërorë në konkurencën e tij deri në 80 kilogram. Fjala është për Muharem Muharemin, i riu tetovar që synon të ec rrugës së Nuri Seferit, ndërsa ëndëron arritjet e Majk Tajsonit.

“Jam shumë i gëzuar që arrita të dal kampion shtetëror në kategorinë time në kampionatin e mbajtur javën e kaluar në Ohër. Ky sukses më jep motiv shtesë për të vazhduar të punoj edhe më shumë në të ardhmen që të arrij tjera suksese”, shprehet anëtari i KB Shkëndija Boks, Muharem Muharemi, që vijon. “Boksi më ka pëlqyer në në moshë të vogël, më dukej si hobi i mirë dhe nuk e mendova shumë të nis të ushtroj. Trajneri im është Jusuf Ashimi me të cilin stërvitem te Shkëndija Boks dhe jam shumë falemenderues që më trajtojnë me shumë përkushtim. Uroj t’ua kthej me rezultate edhe më të mira në të ardhmen”, thotë Muharemi.

Edhe pse në moshë shumë të re edhe Muharem Muharemi si çdo i ri ka ëndërat e tij të cilat shpreson t’i realizojë në të ardhmen, ndërsa nuk nguron të flasë për të preferuarit e tij në këtë boks marcial.

“E dij se është shumë e vështirë, por thjesht si çdo sportist edhe unë kam ëndërat e mija. Normal duhet shumë punë, përkushtim, kushte dhe sakrificë, por pa marrë parasysh se mund të mbeten vetëm ëndëra, gjithsesi se më tërheqin titujt, duke filluar nga nivelet më të ulta, deri te titulli Kampion i Botës. Boksieri që më pëlqen tej mase dhe që më motivon saherë që shikoj video të meçeve të tij është Majk Tajson. Ndërkohë e pëlqej shumë edhe Nuri Seferin që për mua është krenari kombëtare dhe jo rastësisht ka nofkën ‘Albanian Tyson”. Shpresoj një ditë edhe unë të kem rastin të krenohem me suksese si ai”, përfundon Muharemi 14-të vjeçar i cili premton se në të ardhmen do të punojë me shumë përkushtim për të sjellë tjera gëzime nga sporti i boksit.

 

NA NDIQ NË FACEBOOK