Lajme
Meta kërcënon Ramën/ Kam shumë dosje që nga ajo e fasadave

Presidenti Ilir Meta i ftuar në emisionin “Open” u pyet në lidhje me deklaratën e tij se disponon një dosje fasadë të Edi Ramës, nëse kjo ishte akuzë apo shantazh ndaj kryeministrit?
Meta u shpreh se nuk disponon vetëm të ashtëquajturën “dosje e fasadave” për Ramën, por edhe plot dosje të tjera që “një ditë do t’i çoj në Arkivën e Shtetit”.
“Nuk merrem unë me shantazhe. Ajo, ishte për t’i dhënë një sqarim kolegut tuaj, se po më thoshte mua që thotë Rama se ju keni shqetësime nga drejtësia dhe unë i thashë: Nëse ka ndonjë njeri në këtë vend, që e di më mirë se kushdo tjetër sesa i rregullt jam unë në raport me ligjin, është Rama dhe ata që kanë punuar me mua.
Për shembull i thashë kur kam qenë kryeministër dhe Rama ishte ministri im, të gjithë e dinë që në mbledhjet e qeverisë nuk kalonte asnjë vendim pa konsensus.
Pra në qoftë se dikush e kundërshtonte, që kishte vërejtje për anën ligjore, financiare apo aspektet e tjera dhe e di aq mirë Edi, sa 4-5 herë janë kthyer mbledhjet e qeverisë, sepse kolegët e tij kundërshtonin aktet që ai sillte, për shembull për çështjen e fasadave.
Pra, e kisha në kuptimin e përgjegjshmërisë që unë kam patur dhe e kam gjithmonë në ushtrimin e detyrave të mia në raport me ligjin.
Një ditë do i çoj tek Arkivi i Shtetit, që t’i ketë arkivi, t’i kenë edhe historianët kur të gjykojnë për momente të caktuara të këtyre viteve, të këtyre dekadave.”, tha Meta./CNA.al

















