Lajme
Mediat ndërkombëtare kritikojnë Francën për bllokimin e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Refuzimi i hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ka tërhequr sot vëmendjen e mediave kryesore ndërkombëtare.
Gazeta prestigjioze amerikane ”The Washington Post” tërheq vëmendjen e lexuesit me titullin ”BE dështon të hapë bisedimet e anëtarësimit për vendet e Ballkanit”.
”Udhëheqësit e Bashkimit Evropian dështuan të binin dakord për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, në një tërheqje të sikletshme që mund të irritojë rajonin e paqëndrueshëm të Ballkanit”, sipas kësaj të përditshmeje.
Ndërkohë, BBC shkruan se ”BE bllokon përpjekjet e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”, transmeton Top-Channel përcjellë Klan Kosova.
”Zyrtarë të lartë të BE-së kanë reaguar me zemërim pasi një pjesë e vogël e vendeve anëtare, të udhëhequra nga Franca, bllokuan fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.
”Diplomatët theksuan se udhëheqësit e 28 shteteve të bllokut kaluan orë të tëra në debat të nxehtë mbi këtë çështje, por nuk arritën të bien dakord”, thekson ajo.
”Franca kritikohet për bllokimin e bisedimeve të pranimit mes Ballkanit dhe BE-së”, shkruan ndërkohë ”Financial Times”.





















