Connect with us

Lajme

Kryeministri italian: Mazhoranca t’i ofrojë platformë opozitës, dialogu të zhvillohet pa kushte

Publikuar

Për Italinë, kriza politike në Shqipëri duhet të zgjidhet nga akterët e brendshëm.

Në konferencën e përbashkët me homologun Edi Rama në Tiranë, kryeministri Guiseppe Conte kërkoi nga mazhoranca që t’i ofrojë opozitës një platformë për dialog konstruktiv.

Por, Conte theksoi se dialogu duhet të zhvillohet pa kushte.

“Vëmendja jonë është e përqëndruar kryesisht në aftësinë e Shqipërisë për të zgjidhur krizën e saj politike. Kjo do të përbëjë një pjekuri të saj institucionale. Është e rëndësishme që mazhoranca t’i propozojë opozitës një platformë për të qasur një dialog më konstruktiv dhe ky dialog të zhvillohet pa kushte”.

Sa i përket hapjes së negociatave me Bashkimin Europian, Conte tha se Italia e mbështetë këtë proces dhe se në takimin e së premtes në Këshillin Europian do të kërkojë një vendim pozitiv për Shqipërinë.

“Konfirmova se Italia mbështet negociatat me Shqipërinë dhe ditën e premte do ta mbështes këtë pozicion. Jam i bindur se hapja e negociatave është instrumenti më i mirë për përparimin e Shqipërisë. Hyrja e Ballkanit Perëndimor në BE është një objektiv thelbësor sa i përket integrimit”.

“Ne do të bëjmë çfarë është e mundur për të arritur këtë rezultat, për të arritur fillimin formal të negociatave”.

Kryeministri italian tha se reformat të cilat i kërkohen Shqipërisë duhet të mbështeten nga të gjithë./ Top Channel

 

NA NDIQ NË FACEBOOK