Connect with us

Sport

Kosova e pandalshme, në “Fadil Vokri” deklason Malin e Zi

Publikuar

Kombëtarja e Kosovës ka shënuar fitore shumë të rëndësishme në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ duke e mundur Malin e Zi me rezultat 2:0 për të mbajtur gjallë ëndrrën për një kualifikim në Euro 2020.

Pesë minutat e parë të ndeshjes, filluan me një dominim të lehtë të mysafirëve, me Kosovën që tregohej e kujdesshme në daljet para.

Në daljen e parë, në minutën e 9’, Kosova u tregua e rrezikshme, me Fidan Alitin që shumë afër ishte të shfrytëzonte një gabim të portierit të Malit të Zi.

Një minutë më vonë, Kosova shënon golin e epërsisë (1:0) me kapitenin Amir Rrahmani, që ‘fluturon’ në zonën e malazezëve, pas një harkimi të mirë nga këndi të Bersant Celinës.

Goli i Rrahmanit, zhbllokoi lojën e Kosovës, që arriti të marrë në tërësi dominimin, duke krijuar disa raste shënimi.

Një rast të mirë pati Milot Rashica, që në minutën e 25’, ishte afër shënimit të një goli të bukur.

Në minutën e 34’, Kosova dyfishoi epërsinë në 2:0, kur Vedat Muriqi pranon një top nga Florent Hadërgjonaj, dhe pas dy tentimeve, mposht portierin Mijatovic të Malit të Zi.

Kombëtarja e Malit të Zi e nisi pjesën e dytë duke kryer zëvendësim, me trajnerin Hadzibegic që futi në lojë futbollistin nga Kosova, Fatos Beqiraj.

Edhe pjesa e dytë u dominua nga Kosova, me lojtarët e Bernard Challandes që u shfaqën superiorë përballë mysafirëve nga Mali i Zi.

Një rast i mirë shënimi u shfaq në minutën e 68’ për Kosovën, kur Muriqi qëlloi transversalen pas një goditje me kokë. Nga i njëjti aksion, Bersant Celina ishte shumë afër të dërgonte topin në rrjetën e malazezëve për të tretën herë.

Deri në fund të ndeshjes Kosova pati edhe disa mundësi të mira shënimi, por portat mbeten të paprekura, për rezultatin përfundimtar, 2:0 në të mirë të ‘Dardanëve’.

Me këtë fitore, Kosova numëron 11 pikë dhe renditet në vendin e tretë në grup, me vetëm një pikë më pak se Çekia./Lajmi.net/