Kosovë
Haxhiut e Pacollit ‘nuk iu kujtohet’ rasti korruptiv i VV-së në Prizren

Përfaqësueset e Lëvizjes Vetëvendosje, në Rubikon të KTV-së, i kanë bishtnuar përgjigjes për shembullin që kjo parti ka ndjekur me rastin Ehat Oreshka, drejtor për Kulturë, Rini e Sport, në Komunën e Prizrenit me të cilën udhëheq kjo parti.
Fillimisht e pyetur Fitore Pacolli, ajo ka thënë Vetëvendosje ka dhënë shembullin e jashtëzakonshëm të qeverisjes në Prishtinë në periudhën 2014 -2017.
“Menjëherë patëm reduktuar në mënyrë drastike shpenzimet e luksit, nuk kemi përdorur veturat zyrtare dhe karburantet. Edhe politikat tona në arsim, shëndetësi, në shërbime publike, në administratë, kanë ndryshuar në mënyrë drastike mënyrën e qeverisjes në Prishtinë si dhe jetën e qytetarëve”, ka thënë Pacolli, kandidate e kësaj partie për edhe një mandat të deputetes së Kuvendit të Kosovës.
“Po ashtu kemi arritur që t’i hapim 6 çerdhe me bazë në komunitet, ku kemi regjistruar rreth 600 fëmijë dhe janë punësuar në secilën çerdhe nga 10 punëtore. Ka qenë sukses ndërprerja e ndërtimeve pa leje”, ka thënë ajo.
Albulena Haxhiu, ka thënë se me sa e di Oreshka ka pasur aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare në vitin 2017, kur nuk ka udhëhequr Vetëvendosje.
“Nuk i di më shumë detajet, por ju mund ta pyesni z. Haskuka. Ajo që garanton Vetëvendosje është se nuk ka asnjë person të dënuar apo me aktakuza në qeverisje”, ka thënë Haxhiu.
Kandidatja tjetër e Lëvizjes Vetëvendosje për deputete dhe nënkryetarja e kësaj partie, Fatmire Kollçaku, ka thënë se në Vetëvendosje nuk do të ketë njerëz me aktakuza.
Ajo thotë se në qeverisjen Kurti do t’i thuhet lamtumirë një sistemi korruptiv.





















