Connect with us

Lajme

Edi Rama e fajëson BE-në për moshapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë

Publikuar

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbajtur një konferencë për media, pas refuzimit nga ana e Bashkimit Europian për hapje të negociatave për anëtarësim të Shqipërisë.

Ai ka thënë se prej kohësh ka vendosur një pikëpyetje pikërisht se e ka parë qartë se ka një mospërputhje që do të shkojë në konflikt. Sipas tij, dje ai konflikt është shpalosur plotësisht, shkruan Klan Kosova.

“Janë bërë përpjekjet maksimale për të arritur të marrim atë që na takon dhe asgjë më shumë, por atë që kemi merituar. Këtë nuk e them unë, tanimë e ka thënë jo vetëm me shkrim Komisioni Europian, por e keni dëgjuar vet nga një pjesë e madhe e kryeministrave Europian”.

“Nëse duam ta shikojmë drejt në sy të vërtetën, është ajo që kam thënë prej kohësh – duke e parë nga të gjitha diskutimet se procesi po shkonte drejt një përplasjeje qasjesh mes Francës dhe Gjermanisë”.

“Ndërkohë që Gjermania bëri një lëvizje me shpresën për të pasur një pikë kompromisi, në mënyrë të përsëritur në mes Kancelares Merkel dhe Presidentit Makron kjo çështje është diskutuar dhe nuk ka pasur nga ana e tij asnjë hapje”.

“Franca nuk pranon të vazhdohet me të njëjtin proces. Franca kërkon një reformim të brendshëm të BE-së dhe kërkon një reformim të vet procesit të integrimit, madje deri në pikën që të arrihet një tjetër objektiv për horizontin e integrimit”.

“Të gjithë e kanë thënë më shkoqur se kjo që ka ndodhur është një rezultat i mosarritjes së konsensusit mes vendeve anëtare të BE-së. Sikur të kishte qenë cilido nga vendet e BE-së duke pritur për konsensus, nuk do të kishte marrë atë”.

“Kjo është një përplasje mes të mëdhenjve dhe është një ‘lojë’ qasjesh dhe interesash që është shumë më e madhe sesa ne. Nga ana tjetër askush nuk e ka përjashtuar dhe nuk e përjashton perspektivën e integrimit tonë në BE”.

Rama ka theksuar se procesi i integrimit është një proces i transformimit të brendshëm dhe nuk është një proces vetëm sa për t’iu pëlqyer të tjerëve.

“Fakti se ndërkohë që ata të cilët janë jashtë nesh, ata të cilët përfaqësojnë BE-në e thonë pa ekuivok që në mosarritjen e vendimit të djeshëm, përgjegjësia është e brendshme e BE-së. Është e pa pranueshme dhe e pajustifikueshme që këtu mes veti shtrohet diskutimi sikur mospranimi i djeshëm vjen si pasojë e mospërmbushjes së detyrave”.

“Ne i kemi përmbushur ato jo njëherë por dyherë rresht. Prej kohësh kam vendosur një pikëpyetje pikërisht se e kam parë qartë se ka një mospërputhje që do të shkojë në konflikt. Dhe dje konflikti është shpalosur plotësisht”.

“Kryeministri italian e quajti një gabim historik. Në anën tjetër Franca është një nga themeluesit e BE-së,  dhe është në të drejtën që të kërkojë ndryshimin e rregullave brenda një shtëpie”.

“Nga ana jonë, ajo që mbetet esenciale është që ne të vazhdojmë rrugën që kemi nisur dhe të vazhdojmë ndërtimin e Shqipërisë europiane këtu në vendin tonë”.

klankosova.tv

NA NDIQ NË FACEBOOK