Lajme
Cakaj: Hapet misioni i posaçëm i Shqipërisë në Ukrainë

Ministri në detyrë për Evropë dhe Punë të Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka thënë se diplomacia shqiptare ka arritur edhe një tjetër sukses.
“Këshilli i Ministrave ka marrë projektvendimin për hapjen e misionit të Posaçëm të Republikës së Shqipërisë në Kiev, Ukrainë. Ky vendim është shprehje e përkushtimit të Shqipërisë për të qëndruar në lartësinë e detyrës përgjatë Kryesisë së OSBE-së 2020”, ka shkruar Cakaj në Facebook, transmeton Klan Kosova.
“Qëllimi i tij është përmbushja e një ndër prioriteteve kryesore të Kryesisë shqiptare të radhës së OSBE-së, që ka të bëjë me situatën në, dhe përreth Ukrainës, krahas konflikteve të tjera të zgjatura të cilat janë në fokus të kësaj organizate”.
Sipas tij Shqipëria si vend kryesues i OSBE-së e ka me rëndësi madhore të përcjellë, së pari, tek pala ukrainase mesazhin e rëndësisë dhe vëmendjen që i jep adresimit me qëllim zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë, dhe së dyti, tek 56 shtetet anëtare të OSBE-së.
“Shqipëria është e angazhuar maksimalisht për një kryesi të suksesshme me besueshmëri ndërkombëtare”.





















