Lajme
Buzaku zbulon skandalin e parë, Rexhepi ka bërë pastrim parash, skandal edhe shitja e vizave për haxh

Pasi kaloi ultimatum prej 72 orëve, Skënder Buzaku ka filluar me publikimin e fakteve dhe dokumenteve me përmbajtje të komprometuara që dëshmojnë për krimet që i ka bërë Sulejman Rexhepi ndër vite. Duke folur për faktin e parë të cilin e ka dorëzuar në Prokurori Buzaku tha se Sulejman Rexhepi ka keqpërdorur detyrën e tij dhe ka bërë pastrim të parave.
“BFI ka paguar taksë prej 800 euro për një person, nëpërmjet një kompanie private ndërmjetëse. Sipas rregullave dhe taksës së përcaktuara për qëndrim nga ana e Ministrisë për Haxh, të Arabisë Saudite taksa për qëndrim në këtë shtet është e përcaktuar në vlerë prej 510 eurove të cilën BFI ka qenë e obliguar ta paguajë direkt në llogarinë e Ministrisë për Haxh. Fakti që personi i dyshuar ka bërë pagesën nëpërmjet ndërmjetësit dhe jo direkt në Ministrinë për Haxh e vërteton se qëllimi kryesor është përvetësimi i kundërligjshëm i këtyre mjeteve”, tha Buzaku.
Buzaku thotë se ky nuk është skandali i vetëm me Haxhin, ai pohon se lojëra janë bërë edhe me vizat e haxhilerëve.
“Arabia Saudite ja ka besuar çështjen e organizimit të Haxhit Bashkësisë Fetare Islame, qytetarët duhet të dinë se vizat nuk paguhen, vizat janë d.m.th falas. Për atë nëse Bashkësia Islame i shet ose jo ka në të kaluarën është folur shumë mirëpo sa i përket dëshmive, ne në ditën që do të sigurojmë dëshmi do t’ju prezantojmë mirëpo dëshmi ka”, shtoi ai.
















