Lajme
18 vjet nga invazioni i SHBA-së në Afganistan

Kabul, 7 tetor – Më 7 tetor të vitit 2001 SHBA-ja për herë të parë i sulmoi talebanët në Afganistan. Arsyeja e këtij sulmi ishte refuzimi i tyre për të dorëzuar Osama Bin Landen “kokën” e sulmeve terroriste të 11 shtatorit në SHBA, me ç’rast e humbën jetën mbi tre mijë persona.
SHBA-ja intervenoi në Afganistan 18 vite më parë në tentim për ta shkatërruar grupin ekstremist Al Kaeda, përgjegjëse për sulmet e 11 shtatorit dhe për t’i larguar talebanët nga pushteti në Kabul.
Disa ditë pas sulmit të SHBA-së u rrëzua pushteti i talebanëve në Afganistan. Megjithatë, përplasja vazhdoi dhe u thellua gjatë 18 viteve të kaluara, me çka është lufta më e gjatë në historinë e Amerikës.

Gjatë periudhës 2015 deri në vitin 2018 sipas Kombeve të Bashkuara janë vrarë apo lënduar 14 mijë fëmijë. Nga ana tjetër sipas të dhënave të UNICEF-it numri i sulmeve mbi shkolla është dyfishuar në krahasim me vitin 2017. Gjatë fundit të vitit 2018 mbi një mijë shkolla në Afganistan u mbyllën për shkak përplasjeve.
SHBA-ja dhe talebanët vitin e kaluar i filluan negociatat për përfundimin luftës. Por, në fillim të shtatorit presidenti amerikan Donald Tramp, i ndërpreu këto negociata pas sulmeve vdekjeprurëse që talebanët i ndërmorën kundër ushtarëve amerikanë.
Për momentin në Afganistan janë sistemuar rreth 14 mijë ushtarë amerikanë. Në vitin 2011 kur ishin edhe luftimet më të ashpra me talebanët kontingjenti amerikan në Afganistan përbëhej prej 98 mijë ushtarëve.
Qëllimi i marrëveshjes e cila synohej të arrihet mes talebanëve dhe SHBA-së, ishte largimi i forcave amerikane nga Afganistani dhe obligimi i talebanëve se nuk do të kenë kontakt me Al Kaedën dhe grupe të tjera terroriste.(koha.mk)





















