Kosovë
Veseli: LDK-Vetëvendosje koalicion i korrupsionit

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Kadri Veseli gjatë ditës së sotme ka paraqitur vizionin e tij qeverisës para qytetarëve të Hanit të Elezit.
Në ditën e tretë të fushatës elektorale, Veseli u shpreh i bindur që vizioni i tyre do të triumfojë në zgjedhjet e 6 tetorit, pasi sipas tij, politikat e tyre janë për zhvillim ekonomik, ndërmarrësi dhe luftim të korrupsionit dhe nepotizmit.
Veseli: Vizioni i PDK-së është ky
“Vizioni i PDK-së është ky. Një ekonomi e lirë, e prodhimit që e fuqizon qytetarin e Kosovës në mënyrë të veçantë të rinjtë dhe të rejat. Iu jep shansin që me kontribu për familjen e vet, jetën e vet, por edhe për të mirën e shtetit me ecë përpara me përkrahjen në mënyrë të veçantë të prodhuesve, ndërmarrësve. Ekonomi të dijes të prodhimit dhe punësim të qëndrueshëm. Po ashtu dhe një luftë e pa kompromis ndaj korrupsionit dhe nepotizmit”, tha Veseli.
Kandidati i PDK-së për kryeministër duke përmendur prioritetet e tij qeverisëse tha se ato nuk mund t’i realizojnë ata që përçahen me njëri tjetrin dhe ata që e ndajnë Kosovën prej partnerëve strategjik.
Veseli: Asgjë nuk arrihet me përçarje
“Gjitha këto qysh munden me u arrit? A munden duke u nda me njëri tjetrin? A munden duke u përçarë, e besa tu e nda edhe Kosovën prej partnerëve të vet, siç është ShBA dhe BE”, tha ai.
Veseli edhe në Han të Elezit adresoi akuza ndaj LDK-së dhe VV-së, duke thënë se koalicioni i tyre është i korrupsionit dhe do të shpie Kosovën në izolim.
Ai po ashtu kërkoi nga qytetarët e Hanit të Elezit të mobilizohen për të votuar PDK-në në zgjedhjet e 6 tetorit.






















