Lajme
PD nis përgatitjet për zgjedhje

Demokratet kanë nisur përgatitjet për zgjedhje të parakohshme, që sipas Lulzim Bashës duhet të zhvillohen në të njëjtën ditë me zgjedhjet lokale dhe janë e vetmja rruge për zgjidhjen e krizës politike.
Kryedemokrati mblodhi këtë të diel për herë të parë pas pushimeve verore ish grupin parlamentar dhe kryesinë me qëllim për të nisur përgatitjet, sipas tij, për këto 2 beteja elektorale. Në përfundim u arrit të dilej me një qëndrim për situatën aktuale.
“Raporti i OSBE ODIHR dhe rezoluta e Bundestagut, duke shpresuar se deri në Tetor nuk ka ndërhyrje negative nga vendet skeptike, është skanimi i situatës. Jemi futur në fazën finale të zgjidhjes së krizës. Zgjidhja e krizës, që mbetet imperativ dhe objektiv kryesor yni, vjen vetëm duke iu drejtuar sovranit me zgjedhje të lira e të ndershme. Përgatitja e PD për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe zgjedhje vendore në 1 ditë. E gjithë partia, jo vetëm forumet, zbret në terren dhe nis përgatitjet dhe kontaktin me qytetaret për zgjedhjet si zgjidhja e krizës.”
Basha ju ka komunikuar anëtareve të këtyre 2 strukturave të selisë blu se nuk ka asnjë tërheqje, përkundrazi do të ecet paralelisht me aksionin qytetar dhe me hartimin e programit që ai mendon se do ta shpalosë si alternativen qeverisëse gjatë fushatës për zgjedhjet e parakohshme.
“Asnjë iluzion se aksioni opozitar do të ketë ndërprerje apo tërheqje. Krahas aksionit opozitar dhe qytetar, do të vazhdojmë me përfundimin e programit dhe alternativës.”
Te shtunën Basha takoi drejtuesit e degëve, ku u mor vendimi për ngritjen e Shtabit Qendror Elektoral dhe Politik. Sa i takon protestave te paralajmëruara se do të nisin me nisjen e sezonit të ri politik, është vendosur të shtyhen pas vendimit të këshillit europian për çeljen e negociatave të anëtarësimit të vendit në BE. Kjo pasi opozita do të shmangë shfokusimin nga çështjet e integrimit dhe zgjidhjes së krizës politike./tklan.al/



















