Lajme
Ministri Ademi skeptik: Shkolla në Idrizovë nuk mund të ndërtohet për tre muaj

Ministri i Arsimit dhe Shkencës Arbër Ademi ka hedhur poshtë mundësinë e përfundimit të punimeve të shkollës në Idrizovë në afat prej tre muajve. “Nuk mund të kryhet për tre muaj ndërtimi i shkollës”, ka qenë përgjigjja e tij ndaj pyetjes së gazetarëve lidhur me propozimin e djeshëm të Kryetarit të Komunës së Gazi Babës dhe deputetit të zonës Muhamed Zekiri.
Ademi tha se akoma nuk është njoftuar zyrtarisht për këtë iniciativë, duke nënvizuar se lidhur me këtë çështje do të prononcohet pasi të merr njoftimin.
“Për ndërtimin e një shkolle të re në fshatin Idrizovë, kjo ka qenë kërkesë e kahmotshme, ndërsa për detajet nga takimi, po presim që të njoftohemi zyrtarisht dhe më pas të njëjtën ta komentojmë. Unë pres informim zyrtar, të shohim se cili është informacioni zyrtar. Jo për tre muaj nuk mund të kryhet ndërtimi i shkollës.”, ka thënë ministri Ademi, raporton SHENJA.

















