Lajme
Mbi 1100 persona janë arrestuar pas protestave në Egjipt

Kajro, 25 shtator – Autoritetet egjiptiane arrestuan mbi 1.100 njerëz, përfshirë edhe disa personalitete të njohura, pas protestave këtë fundjavë në disa qytete ku ishte kërkuar dorëheqja e presidentit, Fatah al-Sisi, kumtuan organizatat për të drejtat e njeriut.
Në mesin e të arrestuarve janë edhe disa figura të shquara opozitare, zëdhënësi i kandidatit për president në zgjedhjet e vitit të kaluar dhe një shkrimtar i mirënjohur.
Në kundërshtim të ndalesës për tubime pa leje nga qeveria, qindra njerëz dolën në rrugët e Kajros dhe qytete të tjera të premten, në shenjë proteste kundër korrupsionit. Demonstruesit vazhduan të shtunën në Suez në brigjet e Detit të Kuq.
Forcat e sigurisë e përforcuan praninë e tyre në sheshet më të mëdha të qyteteve dhe në vend i kontrollonin celularët e qytetarëve për përmbajtje të dyshimta politike.





















