Connect with us

Sport

Interi i falet GDS, ja pse është më i pakalueshmi në Europë

Publikuar

Treshja e mbrojtjes zikaltër, Godin-De Vrij-Skriniar (GDS) dhe Handanovic janë të pakalueshëm. Kjo është “receta” e trajnerit Conte për një ndeshje tjetër në Serie A, pa gola të pësuar. Në fakt, ajo kundër Lazio, në “San Siro”, ishte sfida e katërt me portë të paprekur nga pesë të tilla në kampionat për Interin. Thënë ndryshe, prapavija e Antonio Conte, me vetëm një gol të pësuar në pesë ndeshje, është më e mira e Europës. Nëse në Itali, ekipi më i afërt është Milani (3 gola të pësuar, por me një ndeshje në Torino për ta luajtur sonte), në Europë, mbrojtjet më solide kanë pësuar të paktën dy gola.

Në Spanjë është rasti i Athletic Bilbao, me dy gola të pësuar në gjashtë ndeshje, dhe Sevilla, me dy gola në pesë ndeshje. Megjithatë, ato kanë shënuar gjysmën e golave të Interit (5 kundër 10). Në Francë, dy gola ka pësuar Reims (që sapo ka mposhtur PSG), por skuadra e Guion ka humbur tashmë 2 ndeshje dhe ka barazuar 2 të tjera, nga shtatë të luajtura deri më tani. Lideri i Ligue 1, PSG, ka pësuar 4 gola, Liverpool-i i parë në Angli (me gjashtë fitore në gjashtë ndeshje) ka pësuar 5 gola (por duke shënuar 17). Mbrojtja e “Reds” është akoma më e mira në Premier League, bashkë me atë të Leicester.

Në Gjermani, në krye është Leipzig (3 gola të pësuar në 5 ndeshje); në Portugali kryeson Benfica (3 gola të pësuar në 6 ndeshje). Kështu, numrat konfirmojnë përshtypjen e fillimit të verës, kur ardhja e Godin në një repart që kishte tashmë Skriniar dhe De Vrij, presupozonte që Antonio Conte ta fillonte ndërtimin e krijesës së tij të re nga ai “sektor”. Niveli interpretues i të treve dhe njohja në rritje e të luajturit së bashku është një sinjal shumë i mirë për tifozët zikaltër. Po ashtu, sepse, pas atyre të treve, është një Handanovic i pathyeshëm.

Advertisement