Connect with us

Lajme

Historia e tërmeteve më vrastarë në Shqipëri, deri me 400 viktima

Publikuar

Tërmetet më të fuqishme që e kanë goditur Shqipërinë janë regjistruar zyrtarisht duke nisur nga viti 1851, kur si pasojë e lëkundjeve në Berat humbën jetën 400 persona dhe shumë të tjerë u lënduan. Dëmet materiale qenë të mëdha.

Tërmeti më i fundit me viktima ka ndodhur në Shkodër, më 15 prill 1979, ku një tërmet 8 ballësh shkaktoi 40 të vdekur dhe dëmtoi 17.118 shtëpi.

Por, ky nuk ka qenë më vdekjeprurësi për qytetin verior. Më 1 qershor të vitit 1905, tërmeti në Shkodër la pas 200 të vdekur.

Më 22 dhjetor të 1919-ës, lëkundjet tronditën zonën e Leskovikut, Konicës dhe zonat kufitare me Greqinë ndërsa nuk pati të dhëna për viktima, por dëmet ishin të mëdha.

Një vit më vonë, ishte radha e Elbasanit, ku u regjistrua një tërmet i cili shkaktoi 14 viktima, mbi 300 të lënduar dhe shumë shtëpi të shkatërruara.

Më 30 mars të 1921-shit, lëkundjet u ndjenë në Peshkopi dhe Dibër të Madhe, por nuk pati të dhëna për dëme në njerëz, ndërsa dhjetëra shtëpi u rrënuan.

Katër vite pas çlirimit, në gusht të 1948-ës, zona e Shkodrës u prek nga tërmeti dhe atëherë u raportua një i vdekur dhe 27 të lënduar, por edhe dëme të mëdha ku ndër të tjera dëmtime të shtratit të Bunës.

Më 1 shtator të 1959-ës, tërmeti përfshiu zonën e Myzeqesë. Në total janë dëmtuar 944 shtëpi, ndërkohë që u shkatërruan edhe shumë objekte të tjera.

Pas tetë vjetësh, një tërmet i fortë e tronditi zonën e Librazhdit dhe Dibrën e Madhe në Maqedoni. Atëherë u shënuan 12 të vdekur dhe 174 të lënduar, si dhe mbi 6,336 ndërtesa të shkatërruara.

Tërmeti i fundit i fortë është regjistruar në Tiranë në janar të 1988-ës ku dëmet kryesore ishin në fshatrat Arbanë dhe Petrelë./ Top Channel

Tërmeti më i madh në Shqipëri është regjistruar në Berat, më 17 tetor 1851, duke shkaktuar 400 të vrarë në Kala.

Shkodër, më 1 qershor 1905, që la 1500 shtëpi të shkatërruara, 200 të vrarë dhe 500 të lënduar.

Tepelenë, më 20 nëntor 1920, duke shkaktuar 36 të vrarë dhe 102 të lënduar. Ai shkatërroi 2500 shtëpi dhe la pa strehë 15000 veta.

Vlorë-Tepelenë, më 21 nëntor 1930, duke shkaktuar 30 të vrarë dhe mbi 100 të lënduar.

Vlorë, më 12 tetor 1851, duke shkaktuar 20 të vrarë.

Korçë, më 26 maj 1960, ku u shkatërruan plot 1479 ndërtesa.

Fier-Tepelenë-Berat-Lushnjë, më 18 mars 1962, duke shkaktuar 5 të vrarë dhe 77 të lënduar dhe ku u shkatërruan 2700 shtëpi.
Peshkopi, më 24 gusht 1924, duke shkatërruar afro 80 % të shtëpive, 44 të vrarë dhe 119 të lënduar.
Fier, më 18 mars 1962, ku u vranë 5 veta, u lënduan 77 të tjerë dhe u shkatërruan 2700 shtëpi.