Connect with us

Lajme

FOTO/ Porositi banane në Ekuador…e solli kokainë, kush është ish-pronari i clubit të njohur në Tiranë

Publikuar

Dosja.al ka mësuar se kompania që kishte porositur bananet me kontenierët ku ishin fshehur 137 kg kokainë që u pikasën nga policia shqiptare është “Alba Exotic Fruit”. Kjo firmë rezulton të jetë në administrim të biznesmenit Eduart Dauti.

Ky i fundit, në faqen zyrtare të QKR-së rezulton të ketë pasur në pronësi edhe pub-in mjaft të njohur në kryeqytet “Tabu”, ku sot ndodhet “Magic4”.

Gjithsesi, deri më tani, emri i biznesmenit Dauti nuk është lakuar në operacionin “kuito” që vuri në pranga dy persona që pritën kokainë dhe një tjetër është shpallur në kërkim.

Dosja.al ka siguruar edhe fotot e biznesmenit Dauti, që është personi që shihni më poshtë.

4 konteinerë nga Ekuadori u pikasën në portin e Pireut, ku policia greke konstatoi se gjendeshin 137 kilogramë kokainë me destinacion Portin e Durrësit. Grekët sinjalizuan policinë shqiptare, e cila bashkë me prokurorinë hoqi drogën dhe vuri oriz dhe GPS. Pas tri ditësh në port shkuan 2 persona, Altin Myslimhaka dhe Ardian Bega, për të marrë drogën. Të dy, tashmë janë të arrestuar.

Në kërkim është shpallur biznesmeni Gentian Malindi, 42-vjeç. Ky i fundit akuzohet se ishte personi që priste sasinë e drogës në portin e Durrësit.

Malindi ka në pronësi të tij një anije peshkimi në qytetin e Durrësti. Më herët ai është bërë pjesë e mediave, me një denoncim të tij në drejtim të policisë. Biznesmeni durrsak pretendonte se kontrollet e shpeshta të bëra nga ana e policisë po dëmtonin rëndë biznesin e tij.

 

Lajmi i plotë

Ardian Bega, 53 vjeç oficer i Sigurisë në Portin e Durrësit dhe Altin Myslimhaka, 35 vjeç, pastrues në anijen e peshkimit “Eniway” janë të akuzuar si pritës të drogës në  konteinerët me kokainë që janë gjetur në portin e Durrësit. Dy të arrestuarit kanë dalë sot në gjykatë, ku nuk kanë pranuar të japin detaje për drogën dhe rolin e tyre në këtë trafik. Gjithashtu, në kërkim është shpallur biznesmeni Gentian Malindi, pronari i anijes “Eniway”.

Burime për Dosja.al bëjnë me dije se operacioni është finalizuar mbrëmjen e 19 shtatorit, kur Dosja.al dha e para lajmin se disa persona, punonjës të portit të Durrësit, u ndaluan nga policia.

Droga është nisur nga Ekuadori dhe janë pikasur në portin e Pireut në Greqi, dhe më pas kanë përfunduar në portin e Durrësit.  Bëhet fjalë për 4 konteinerë me banane dhe në brendësi të tyre kanë qenë 137 kilogramë kokainë.

Konteinerët janë zbuluar në Pire, aty ku policia greke ka gjetur drogën e nisur nga Ekuadori. Në 4 konteinerët me destinacion Shqipërinë, policia ka patur të dhëna se në tabanin e dyshemesë së tyre ka patur kokainë.

Policia greke nuk ka ndërhyrë, por ka dhënë informacion tek pala shqiptare. Konteinerët kanë ardhur në Shqipëri, dhe prokuroria shqiptare, bashkë me policinë, kanë hequr drogën dhe kanë vendosur pako me oriz dhe GPS (gjurmues lokalizator).

Pas tri ditësh, në Portin e Durrësit kanë shkuar dy personat, Gentian Maldini dhe Altin Myslimhaka, të cilët po prisnin të merrnin drogën, por në vend të kokainës kanë marrë orizin.

Gjykata për Krimet e Rënda ka dhënë sot masën e sigurisë “arrest me burg” për dy të arrestuarit, ndërkohë që Policia e Shtetit ka dalë në një konferencë për mediat, ku ka dhënë informacione për operacionin e koduar si “Kuito”.

Ardi Veliu, drejtor i Policisë, tha për mediat se policia ka mbikqyrur personat e arrestuar, të cilët kanë janë kapur në flagrancë teksa kishin nxjerrë nga konteineri një sasi të drogës. Ata kanë përdorur aksesin që kanë patur në këtë port, duke përdorur kartat “badge”. 

DEA amerikane kishte informacion të saktë për këtë ngarkesë të madhe droge që ishte nisur në gusht nga Ekuadori. Ajo, bashkë me policinë greke zbuluan drogën në portin e Pireut, pasi linja e anijes ishte Ekuador-Pire-Durrës. Ata kontrolluan konteineret, dhe më pas njoftuan palën shqiptare. Më pas u koordinua puna me autoritetet shqiptare. Kjo për shkak se duhej të bëhej dorëzimi i kontrolluar i mallit në mënyrë që të arrestoheshin trafikantët.

Malindi, biznesmen në Durrës, 45-vjeçar, është i njohur për trafikun e drogës, ndërkohë që në vitin 2013 ishte i arrestuar për trafik lëndësh narkotike. Myslimhaka ishte pastrues në anijen e peshkimit të Gentian Malindit, “Eniwej”, dhe kishte leje dhe akses për t’u futur në portin e DurrësitGentian Malindi është djali i avokatit të njohur, Ilir Malindi, i cili ka paditur ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, pasi sipas tij po i bëhej padrejtësi me kontrollet e policisë kufitare.

  • 17:00

    Foto/ Ky është momenti kur Ardian Bega merr ‘kokainën’, si largohet nga kontenieri

    Fotoja që shikoni më poshtë tregon momentin kur një nga të arrestuarit për porositjen e 137 kg kokainë, Ardian Bega merr ‘drogën’ nga kontenieri i bllokuar nga policia.

    Siç shihet edhe në foton e publikuar nga TV.klan, Bega merr pakon brenda të cilës mendonte që kishte kokainën e porositur, por ‘malli’ ishte zëvendësuar me miell orizi nga policia.

    Ardian Bega

    Më pas Ardian Bega është larguar nga Porti i Durrësit për tek automjeti me targa franceze, ku dhe është takuar me biznesmenin Gentian Malindi, i cili është në arrati, pasi është shpallur në kërkim nga policia.

      
  • 16:25

    Droga në Durrës, mediat italiane: Rrugët e kokainës, nga Ekuadori për në Shqipëri

    Sot në portin e Durrësit janë sekuestruar 137 kilogramë në Policia Shqiptarë në një kontenier me banane. Sot u raportua se droga kishte ardhur nga Ekuadori dhe si destiancion kishte vendin tonë.

    Mediat italiane kanë shkruar për drogën e kapur në Durrës, kokaina ishte fshehur në disa kontenierë të ngarkuar me banane, u la në një anije nga Ekuadori dhe një ndalesë tranziti në portin grek të Pireut, përpara se të mbërrinte në Durrës në Shqipëri.

    Por në hyrje të shkruajnë “Rrugët e kokainës, 137 kilogramë drogë nga Ekuadori për në Shqipëri”. Me tej shtohet se drejtori i Përgjithshëm i policisë shqiptare Ardi Veliu, sqaroi sot se në koordinim me autoritetet gjyqësore Greke është aplikuar “dorëzimi i kontrolluar”, teknika hetimore që lejonte autoritetet shqiptare të identifikonin “bossët” e drogës.

    Dy persona përfunduan në pranga, përfshirë një oficer sigurie në portin e Durrësit, Ardian Bega, 53 vjeç, ndërsa një tjetër, pronar i një anijeje, për të cilën policia siguroi vetëm inicialet, G.M., arriti të shpëtojë pasi e vuri re kurthin e policisë”, mbyllet shkrimi.

      
  • 15:12

    Grupi i kokainës në Durrës/ Artan Hoxha: Karriera e gjatë në Shqipëri dhe lidhjet e forta në politikë, askush s’i ka goditur

    Artan HoxhaGazetari investigativ Artan Hoxha ka komentuar operacionin “Kuito”, ku u kapën 137 kg kokainë të fshehur në kontenieret në portin e Durrësit.

    Hoxha tha se pas 317 kilogramëve kokainë që u kapën në 4 konteinierë me banane në portn e Durrësit, fshihet një grup i strukturuar kriminal që vepron në Shqipëri prej 2 dekadash dhe ka lidhje të forta politike nga të gjitha palët, pa u goditur asnjëherë nga policia.

    Artan Hoxha

    Sipas gazetarit Artan Hoxha, tashmë hetimet duhen përqëndruar në gjetjen e provave për të shkuar tek kreu i grupit, ndërsa tha se personi i identifikuar dhe i shpallur në kërkim, Gentian Malindi është vetëm mbulim, pasi ‘peshqit e mëdhenj’ asnjëherë nuk dalin në lojë.

    Që të dokumentosh aktivitetin kriminal të një grupi duhet ta kapësh me lëndë narkotike. Ata kanë marrë kokainë nga kontenieri. Bëhet fjalë për kokainë, sepse duhet dokumentuar aktiviteti i grupit kriminal. Deri tani janë nxjerrë tre emra, mes tyre emri i biznesmenit Gentian Malindi. Janë me origjinë nga Skrapari dhe jetojnë në Durrës, është nipi i një funksionari të lartë në kohën e komunizmit.  Është rënë në gjurmët e një grupi shumë të madh, me një karrierë të gjatë në këtë fushë. Janë personazhe shumë të njohur, të fuqishëm në Durrës. Prandaj ata kanë pasur në dorë Portin.

    Në nivele të tilla bexhi është gjëja më qesharake. Ai të blen drejtorin e Portit, drejtorin e Policisë. Ne e dimë shumë mirë si dilet dhe hyhet në Portin e Durrësit. Duhet të dimë: Kjo linjë sa ka kohë që vepron? Është kjo rruga e parë, e 10, e 15? Kush është pas kësaj historie? Deri tani bëhet për një grup që ka histori të gjatë në histori dhe nuk është goditur asnjëherë. Nuk ka pasur problem nëse ka qenë e majta apo e djathta.

    I kanë pasur lidhjet prej kohësh në Shqipëri. Gentian Malindi është personi më i rëndësishëm nga ata që kanë shkuar të marrin ngarkesën. Sasia e ngarkesës e konvertuar në çmimin e tregut, janë 20 milionë euro. Mendoni që Malindi do ta bënte vetëm 20 milionë euro? Me një anije peshkimi do trafikonte 20 milionë euro? Nuk shkojnë kurrë boset për të marrë ngarkesën.

    Grupet e strukturuara i kanë të ndara rolet. Jemi në gjurmët e një grupi me karrierë shumë të gjatë në trafikun e drogës, me lidhje shumë të forta, një grup që nuk është goditur asnjëherë. Uroj që prokuroria të ketë faktuar lidhjet e këtij grupi me krerët, në mënyrë që të shkohet tek koka.

    Personazhet e policisë në konferencë dolën sepse kanë qenë pjesë e operacionit. Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu doli në një deklaratë të thatë, sepse çështja është në hetim. Jemi në fazën fillestare ku ende ka shpresë të shkohet drejt drejtuesve të këtij grupi. Duke pasur parasysh njohjet, gjurmët e kësaj ngarkese të çojnë tek një grup shumë i njohur në Shqipëri që asnjëherë nuk është goditur.

    Vërtetë kapëm 137 kile, por nuk dimë sa pjesë e drogës që u kap në Pire do të tërhiqej në këto degëzime nga Shqipëria. Po ta shikosh në tërësi skemën, është një grup shumë më i fuqishëm nga ata që jemi mësuar zakonisht t’i raportojmë. Me çmimin që është në treg, 100 mijë euro kilogrami…është ngarkesë e madhe që tregon për potencialin që kanë grupet e organizuar shqiptar. Derisa nëpër Tiranë, Durrës, lëvizin mjete të blinduara, të kushtueshme, ka investime që nuk i gjen dot nga burojnë, kemi të bëjmë me një potencial ekonomik që futet në rrugë kriminale”, deklaroi Artan Hoxha.

      
  • 14:16

    FOTO/ Ky është një nga konteinerët ku ndodhej kokaina në Durrës, kush e sinjalizoi biznesmenin Malindi

    Dosja.al sjell fotot e njërit prej konteinerëve ku ndodhej kokaina në portin e Durrësit. Burime i thanë Dosja.al se këto konteinerë që mbërritën në portin e Durrësit me 137 kilogramë kokainë në brendësi, kishin në tabanin e dyshemesë së tyre drogën të fshehur në kuti të mbështjella.

    Konteineri ku ndodhej kokaina ne Durres

    Policia hoqi drogën dhe vuri orizin me GPS, ndërkohë që biznesmeni i cili akuzohet se është porositësi i kokainës, është në kërkim. Gentian Malindi, u njoftua, thonë burime për Dosja.al, çka shtojnë dyshimet se ky operacion mund të jetë dekonspiruar.

    Konteineri ku ndodhej kokaina ne Durres
      
  • 13:58

    Makina me targa franceze te hoteli në “Shkëmbin e Kavajës”, si u zbulua biznesmeni Malindi: Po na ndjek policia, ka GPS!

    Dosja.al zbulon detaje nga operacioni që zbuloi emrin e biznesmenit Gentian Malindi, që tashmë akuzohet si porositësi i 137 kilogramëve kokainë në portin e Durrësit. Burime për dosja.al bëjnë me dije se skema e bashkëpunimit të tij ishte shtrirë brenda administratës së portit, ku përveç të arrestuarit Ardian Bega, të tjerë persona janë të përfshirë.

    Më 19 shtator, policia e Shtetit finalizoi operacionin “Kuito”, ku Bega dhe punëtori i anijes së Malindit, Altin Mislihaka, hynë me një kartë “badge” brenda ambienteve të Portit Durrës dhe u drejtuan për tek konteinerët me banana, aty ku ndodhej e fshehur kokaina.

    Si ndodhi zbulimi i tyre?

    Oficeri i sigurisë në Port, Ardian Bega ka deklaruar në polici se biznesmeni Gentian Malindi, i ka kërkuar të shkojë në port dhe të ndihmojë për të nxjerrë kuti nga dy konteinerët e ngarkuar me banane dhe që kishin ardhur nga Ekuadori, ndaluar në Pire në Greqi dhe më pas në drejtim të Portit të Durrësit. Pasi kanë marrë kutitë, ku besonin se ndodhej droga ata e kanë futur ngarkesën në një automjet me targa franceze. Ata janë drejtuar tek zona e njohur si “Shkëmbi i Kavajës”, para një hoteli, dhe në hyrje të një tuneli, Malindi sipas Begës ka kërkuar të shohë kutitë. Në momentin që ka parë se kutitë nuk ishin të mbështjella siç ai kishte rënë dakord, iu ka kërkuar Myslimhakës dhe Begës që të mos flisnin pasi edhe në makinë mund të kishte GPS (gjurmues, lokalizator).

    Në makinë mund të ketë GPS. Mos të flasë asnjëri se mund të na ndjekë policia”,-mësohet të jetë shprehur Malindi, bëjnë me dije burime nga grupi hetimor.

    Priste 137 kg kokainë/ Kush është Gentian Malindi, djali i avokatit të njohur që paditi Saimir Tahirin
  • Personi i tretë i cili është shpallur në kërkim nga policia për 137 kg drogë që u kapën në portin e Durrësit është Gentian Malindi, 42-vjeç. Ky i fundit ishte personi i cili priste sasinë e drogës në portin e Durrësit.

    Kush është Gentian Malindi?

    Malindi me profesion jurist, është djali i avokatit Ilir Malindi. Ai është një person me precedent të mëparshëm penal.

    Më 8 qershor të 2013 ai është arrestuar nga policia pasi kap me 500 kg drogë të llojit kanabis sativa, por më vonë gjykata e liroi. Droga u kap nga policia  në zonën e Plazhit, e fshehur në furgon tip “Benz Mercedez”, me targë AA 938 AE, e cila kishte si destiancion Italinë.

    Por 42-vjeçari është i njohur në fushën e biznesit të peshkut. Ai ka në pronësinë e tij varkë e cila peshkon në detin Adriatik, që në QKR mban emrin e biznesit “Anyway”.

    Më 18 nëntor të 2018 Malindi, ka paditur edhe Policinë Kufitare, pasi sipas tij nga kontrollet e njëpasnjëshme që i ka bërë në varkën e peshkimit, i shkaktuan dëm ekonomik e moral. Madje babai i tij, Ilir Malindi më 30 tetor të 2014 ka paditur në Gjykatë edhe ish-ministrin Saimir Tahiri, se Policia Shtetit përndjek dhe dhunon djalin e tij për këtë çështje. Ai kërkoi në gjykatë 5 milionë dëmshpërblim.

    Dosja.al mëson se 42-vjeçari ka një njohje të vjetër edhe  me Altin Myslimhakën, të arrestuarin tjetër pasi ky i fundit punonte si punonjës në varkën e tij të peshkimit.

      
  • 13:23

    Kokaina në Durrës, reagon Lleshaj: Krimi ka marrë goditje, e gjitha vazhdon

    Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka reaguar për sasiën e kokainës së kapur në portin e Durrësit. Përmes një postimi në rrjete sociale, Lleshaj shprehet se krimi ka marrë një goditje domethënëse, teksa ka falenderuar autoritetet greke.

    “KUITO” një tjetër provë e pjekurisë profesionale dhe e angazhimit serioz të PSH në luftën kundër krimit të organizuar, i cili ka marrë sot një goditje domethënëse. Përgëzime për PSH dhe falënderime për partnerët tanë. E gjitha vazhdon…”, shkruan Lleshaj.

      
  • 12:55

    Del FOTOJA, ja kush është biznesmeni 42-vjeçar që priste 137 kg kokainë në Durrës (EMRI)

    Gentian Malindi

    Zbulohet emri i biznesmenit i cili është shpallur në kërkim nga Policia për 137 kilogram kokainë në Durrës. Bëhet fjalë për biznesmenin Gentian Malindin, 42 vjeç, i cili në bazë të kërkimeve rezulton se ka në pronësinë e tij një anije peshkimi. Mësohet se një prej të arrestuarve Altin Myslimhaka është punëtor në anijen e tij. 42-vjeçari, dyshohet se është një nga pritësit e kokainës në portin e Durrësit, dhe për këtë arsye është shpallur në kërkim.

      
  • 11:59

    Kokaina brenda bananeve në Durrës, policia jep detajet: Ja kush e priti drogën, kishin akses në port

    Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu i shoqëruar nga Prokurorë të Krimeve të Rënda, ka dhënë informacion lidhur me operacionin e zhvilluar në Portin e Durrësit, ku u gjetën 137 kilogramë kokainë brenda konteinerëve me banane. Policia njoftoi se operacioni ka nisur që në muajin gusht 2019, dhe ka përfunduar ditën e sotme. Policia bëri me dije gjithashtu, se dy personat e arrestuar, janë Altin Myslihaka dhe Ardian Bega. Ata rezulton se po prisnin lëndën narkotike në Durrës. Ata kanë përdorur aksesin që kishin në port për të nxjerrë një pjesë të drogës nga konteineri për t’a dërguar ata në një zonë të sigurtë.

    Njoftimi i plotë:

    Policia e Shtetit. Operacion ndërkombëtar antidrogë i koduar “KUITO”. Operacioni nga Policia e Shtetit, Policia greke dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, i koordinuar nga DEA Amerikane.

    Sekuestrohen 137 kg lëndë narkotike kokainë. Dy persona në pranga dhe një është shpallur në kërkim. Në kuadër të luftës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e trafikut të lëndëve narkotike dhe operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara me partnerët, Policia e Shtetit ka finalizuar një tjetër operacion ndërkombëtar për këtë qëllim. Policia e Shtetit ne bashkëpunim me Autoritetet Ligjzbatuese Greke në koordinim me Zyrën e DEA-s në Athinë, nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë finalizoi me sukses operacionin ndërkombëtar “KUITO”. Policia Shqiptare organizoi dorëzimin e kontrolluar pas miratimit dhe lejimit nga Autoritetet Greke, procedura të cilat filluan nga pala shqiptare që në muajin gusht 2019 dhe përfunduan sot më datë 27.09.2019.

    Gjatë kësaj periudhe u realizuan disa takime operacionale nga Policia e Shtetit me Autoritetet Policore Greke dhe Zyrën e DEA-s.

    Këto takime u realizuan në Tiranë dhe në Athinë për shkëmbimin e informacioneve dhe mbarëvajtjen e operacionit që do zhvillohej për goditjen e aktivitetit kriminal të personave që trafikonin lëndë narkotike të llojit kokainë nga Ekuadori në Greqi dhe më pas në Shqipëri, nëpërmjet rrugës detare.

    Në realizimin e këtij operacioni, për dorëzimin e kontrolluar janë zbatuar të gjitha teknikat speciale të hetimit, të miratuara me ligjin nr. 8920., datë 11.07.2002, për Ratifikimin e Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Krimit të Organizuar ndërkombëtar dhe dy protokolleve shtesë të saj.

    Gjatë kryerjes së veprimeve procedurale, u aplikuan me profesionalizëm dhe sukses të plotë të gjitha format dhe metodat speciale te hetimit, të përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale. Në përfundim të këtij operacioni, në funksion të dorëzimit të kontrolluar u sekuestrua 137 kg lëndë narkotike, kokainë dhe u arrestuan shtetasit: A. B., 53 vjeç dhe A. M., 35 vjeç, të dy banues në Durrës, si dhe u shpall në kërkim shtetasi G. M.

    Gjatë hetimeve të deritanishme rezulton se këta shtetas ishin pritësit e kësaj lënde narkotike në Durrës. Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe persona të tjerë në Portin e Durrësit, duke shfrytëzuar faktin që kishin akses në hyrje dhe dalje në Port bënë të mundur nxjerrjen e një sasie të lëndës narkotike nga kontenieri ku ndodhej në sheshin e kontenierëve dhe dërgimin e saj në një zonë të sigurtë që ata mendonin, por që është sekuestruar nga Policia gjatë operacionit. Të gjitha veprimet e kryera nga shtetasit e mësipërm ishin të mbikëqyrura nga strukturat e Policisë së Shtetit, të cilët bënë të mundur sekuestrimin e të gjithë lëndës narkotike, arrestimin e dy shtetasve dhe shpalljen në kërkim të një tjetri, për veprat penale “Trafiku ndërkombëtar i lëndëve narkotike, e kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal”.

    Drejtoria Hetimore Qendrore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda vazhdon punën intensive për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal. Gjatë zhvillimit të këtij operacioni morën pjesë Drejtoria Hetimore Qendrore, Departamenti për Kufirin dhe Migracionin, ZQK Interpol Tirana, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë e Durrës dhe Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit Durrës.

    Finalizimi i këtij operacioni tregon edhe njëherë vendosmërinë e Policisë së Shtetit për të luftuar krimin e organizuar, si dhe besimin gjithnjë në rritje të partnerëve për të bashkëpunuar me Policinë e Shtetit. Ky operacion i dorëzimit të kontrolluar shënon një hap cilësor në luftën kundër Krimit të Organizuar. Policia e Shtetit siguron qytetarët se është tërësisht e angazhuar për krijimin e një ambineti sa më të sigurt dhe fton cilindo që të denoncojë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital çdo rast të paligjshmërisë.

      
  • 11:45

    Rritet sasia e drogës së kapur në Durrës, shkon në 137 kg kokainë, pritësi ‘qep’ gojën në gjykatë

    Ndryshon sërish informacioni për sasinë e drogës që është kapur në portin e Durrësit. Burime për Dosja.al bëjnë me dije se sasia e drogës së kapur llogaritet të jetë rreth 137 kilogramë kokainë.

    Droga është gjetur brenda 4 konteinerëve me banane, dhe ishte vendosur në tabanin e dyshemes së konteinerit. Gjithashtu, dy të arrestuarit, Altin Myslimhaka dhe Ardian Bega, nuk kanë pranuar të flasin para gjykatës për Krimet e Rnënda, e cila ka dhënë për t’a masën e sigurisë “arrest me burg”.

    Ardian Bega, oficer i Sigurisë në këtë port dhe Altin Myslimhaka, personi që ka shkuar të marrë drogën në konteiner, nuk kanë pranuar të japin dëshminë e tyre mbi rrethanat e ngjarjes.

      
  • 11:42

    Kokaina në portin e Durrësit, Krimet e Rënda lënë në burg dy të arrestuarit nga operacioni

    Gjykata e Krimeve të Rënda

    Gjykata e Krimeve të Rënda ka lënë në burg dy prej të arrestuarve nga operacioni antikanabis që u zhvillua në portin e Durrësit. Bëhet fjalë për Altin Myslimhakën dhe për Ardian Begën, të cilët u arrestuan gjatë operacionit në port.  Ndërkohë që ende 4 persona të tjerë janë shpallur në kërkim nga policia, njëri prej të cilëve me inicialet G.M.

     
  • 11:34

    2 herë skenari i BANANEVE/ Porti i Durrësit vendkalimi për kokainën, si u kapën 613 kg kokainë brenda konteinerëve në 2017

    I përngjan një skenari filmi hollivudian, por është skena me të cilën përballet sot policia dhe autoritetet shqiptare. Trafiku i drogës nga Ekuadori me vend kalimi tranzit Shqipërinë, për të kaluar më pas në vendet e BE-së, provohet sërish me kapjen e 4 konteinerëve me drogë në Portin e Durrësit.

    Arber Cekaj dhe kokaina e Maminasit

    Skenari i trafikantëve duket se është i njëjtë me atë të kokainës së Maminasit, ku brenda konteinerëve të firmës “Arbi Garden” u gjetën 613 kg drogë e llojit kokainë, më 27 shkurt 2017. Droga ishte e fshehur mes bananeve, dhe u kap në vendin tonë nën mbulesën e një kontenieri me banane të kompanisë pasi i kishte shpëtuar kontrollit në disa shtete të tjera. Autoritetet shqiptare pretenduan se operacioni ishte tërësisht i tyre dhe pa bashkëpunimin e agjencive të huaja.

    613 kg kokainë është sasia më e madhe e kapur ndonjerë në Shqipëri dhe vlera e saj në tregun klandestin mund të shkonte deri në 200 milionë euro.

    Destinacioni i kokainës ishin tregjet evropiane, ndërkohë që mendohet se pronari i ‘Arbi Garden’, Arbër Çekaj ka bashkëpunuar edhe me disa persona të tjerë për transportimin e drogës nga Kolumbia drejt Shqipërisë. Ambasadori amerikan, Donald Lu e konsideroi Çekajn një “peshk të madh”… mbetet për t’u parë, nëse i të njëjtës madhësie do të jetë edhe “peshku” i portit të Durrësit.

      
  • 11:16

    Kush është oficer i sigurisë së Portit të Durrësit që u arrestua

    Ditën e sotme në portin e Durrësit janë kontrolluar 4 konteinerët e bllokuar dhe janë gjetur 110 kg drogë e llojit kokainë. Për këtë sasi droge deri më tani janë arrestuar Ardian Bega, oficer i sigurisë në portin e Durrësit dhe shtetasi Altin Myslimhaka, si dhe është shpallur në kërkim shtetasi me inicialet G.M. Mësohet se skema e trafikut Ekuador-Pire-Shqipëri, kishte pak ditë që po hetohej nga policia greke.

     
  • 11:08

    U nisën nga Ekuadori, bllokohen 4 konteinerë në Durrës, brenda kishin mbi 110 kg kokainë

    Konteinerët ku ishte kokaina

    Detaje të reja kanë dalë nga operacioni antikokainë në Durrës. Mësohet se Policia ka bllokuar 4 konteinerë në portin e Durrësit, brenda të cilëve kishte mbi 110 kg kokainë

NA NDIQ NË FACEBOOK